Kombëtarja U-19 kthehet në fushë, Cungu fton 25 lojtarë në seleksionim 1-ditor

Futboll

Kombëtarja U-19 kthehet në fushë, Cungu fton 25 lojtarë në seleksionim 1-ditor

Më: 17 mars 2021 Në ora: 13:49
Ekipi Kombëtar shqiptar U-19

Ekipi Kombëtar shqiptar U-19 do të zhvillojë sot një seleksionim 1-ditor, ku do të jenë të ftuar 25 lojtarë të cilët aktivizohen me klubet e kampionatit shqiptar. Seleksionimi do të zhvillohet në Qendrën e Ekipeve Kombëtare të FSHF në Kamëz dhe do të drejtohet nga trajneri i ekipit Kombëtar, Armando Cungu.

Lojtarët e thirrur janë të vitlindjes 2003 dhe aktivizohen në kampionatin shqiptar të moshës U-19. Synimi i këtij seleksionimi është vëzhgimi nga afër i elementëve të talentuar të kësaj grup-moshe që militojnë në kampionatin shqiptar e që mund të jenë të vlefshëm për ekipet zinxhir kuqezi.

Përveç testeve fizike e taktike, në këtë seleksionim do të zhvillohet edhe një ndeshje kontrolli, ku futbollistët e rinj do të kenë mundësi të tregojnë vlerat e tyre në fushën e blertë.

Kjo është hera e dytë për këtë vit që ekipi Kombëtar U-19 zhvillon një seleksionim, teksa i pari u zhvillua në muajin shkurt dhe zgjati 3 ditë. Në të parin, grupit mundën t’i bashkoheshin edhe disa lojtarë, të cilët aktivizohen në klube të huaja, ndërsa në këtë seleksionim 1-ditor do të jenë vetëm lojtarë që aktivizohen në Shqipëri.

Në këtë mënyrë stafi teknik do t’u japë mundësi edhe më shumë lojtarëve të rinj që të mund të kandidojnë për një vend në ekipet kombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat