Dukagjini është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pasi ka eliminuar Drenicën të mërkurën me rezultat minimal 1:0.
Në takimin e zhvilluar në stadiumin ’18 Qershori’ në Klinë, golin e vetëm për ‘Hithat’ e realizoi mesfushori gjakovar, Jeton Dushi.
Dushi shënoi në minutën e 76’ një gol të bukur dhe e dërgoi Dukagjinin në gjysmëfinale të garës së dytë më të rëndësishme në vendin tonë.
25 vjeçari në një prononcim për Gazetën inFokus ka folur për golin e shënuar dhe kualifikimin e klinasve në rrethin tjetër të Kupës.
“Është ndjenjë shumë e mirë të shënosh gol kur dihet edhe rëndësia e madhe e ndeshjes. Jam shumë i lumtur për golin që realizova, por jam edhe më shumë i lumtur që arritëm në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës”, tha fillimisht Dushi.
Mesfushori gjakovar golin e realizuar ia ka dedikuar qytetit të Klinës.
“Këtë gol dhe fitore jua dedikoj të gjithë qytetit të Klinës, pasi çdo herë jam i mirëpritur në një qytet të vogël, por me zemër të madhe”, deklaroi Jeton Dushi.
Dukagjini i Klinës është kualifikuar pas 25 viteve në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.