Edhe Muslija i pakënaqur me mosftesë te Kosova

Futboll

Edhe Muslija i pakënaqur me mosftesë te Kosova

Më: 18 mars 2021 Në ora: 12:49
Edhe Muslija i pakënaqur me mosftesë te Kosova

Florent Muslija nuk është ftuar për ndeshjet e muajit mars nga Kombëtarja e Kosovës në futboll.

Trajneri, Bernard Challandes dje gjatë ditës publikoi listën e lojtarëve për tri ndeshjet gjatë këtij muaji, ndaj Lituanisë (miqësore), Suedisë dhe Spanjës (ndeshje parakualifikuese për Kupën e Botës ‘Katari2022’).

Në një intervistë për IndeksOnline, lojtari i Hannoverit u shpreh i pakënaqur me mos-ftesën e Bernard Challandesit.

“Unë s’kam ide pse nuk më kanë dërguar ftesën. Vetëm e di që s’jam i kënaqur. Unë jam i gatshëm për Kosovën. Gjithçka kisha dhanë për Kosovën. Unë e meritoj me qenë pjesë e Kosovës. Edhe atëherë kur më kanë ftuar, unë e kam lënë Gjermaninë për Kosovën, sepse zemra ime rrah për ‘Dardanët’. Unë jam në formë dhe i gatshëm. Jam shumë i interesuar për me i ndihmuar vendit tim”, ka thënë Muslija për IndeksOnline.

Fubollisti që luan në Bundesliga 2, po kalon në një formë të mirë, ku në 10 paraqitjet e fundit ka shënuar 2 gola. Ai s’u kontaktua fare nga FFK-ja. Madje, ishte vet Muslija ai që i kishte telefonuar për t’i pyetur rreth situatës pandemike dhe për ftesën.

“Kam folur me Bajram Shalën, me menaxherin e Kombëtares. E kam pyetur se si është situata pandemike. Unë e kam telefonuar, deshta me ditë se si është situata, dhe e kam pyetur se a do të më ftoj trajneri. Ai më tha se unë jam në listën rezervë”, vazhdoi tutje lojtari kosovar

Muslija te Hannoveri luan së bashku me sulmuesin Valmir Sulejmani. Të dy po kalojnë në formë të mirë, por që të dy mungojnë në listën e Challandesit.

“Edhe Valmiri edhe unë e kemi merituar ftesën. Jemi në ligën e dytë në Gjermani, një ligë e fortë. Neve na japim mundësi me lu aty, dhe besoj që e meritojmë të luajmë për Kosovën. Ne jemi të gatshëm për të dhënë kontribute për Kosovën”, thotë 22-vjeçari.

Edhe pse nuk do të luaj në këto tri ndeshje, Muslija shpreson që Kosova të arrij rezultate pozitive. Madje thotë se ‘Dardanët’ do të jenë befasi dhe kanë potencial për t’i mposhtur Suedinë dhe Spanjën.

“Ne e kemi ekipin shumë të fortë, mendoj shumë që mundemi me i befasu dhe me i fituar ndeshjet”, përfundoi lojtari i klubit gjerman.

Kujtojmë që Kosova ndeshjen e parë e luan ndaj Lituanisë më 24 mars, më 28 ndaj Suedisë dhe më 31 mars ndaj Spanjës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat