Objektivi u plotësua, të paktën në aspektin ekonomik. Reali i Madridit ende është 5 hapa larg fitores së Champions-it të 14-të në histori, por kualifikimi mes 8 më të mirave ka mbushur arkat e klubit madrilen. Me 10.5 milionë eurot si bonuse nga UEFA për kualifikimin në çerekfinale dhe nga të ardhurat e “market pool”, Reali i Madridit ka arkëtuar 100 milionë euro deri tani.
Sigurisht që drejtuesit nuk janë ende të kënaqur dhe duan të përfitojnë sa më shumë nga prezenca në Champions si e vetmja skuadër spanjolle e kualifikuar në këtë fazë. Reali i Madridit ka arritur që të përfitojë 35 milionë euro për shkak të koeficientit të tij në 10 vitet e fundit në Europë dhe 15 milionë për kualifikimin në grupe. Gjithashtu, 3 fitoret e arritura në fazën e grupeve kanë sjellë 8.8 milionë euro në arkat e klubit, shtuar këtu edhe 900 mijë euro një barazim.
Skuadra e Zinedine Zidanes arriti që të përfitonte 9.5 milionë nga kualifikimi në fazën e 1/8-ave dhe 10.5 për çerekfinalet. Këto në total janë 80 milionë euro, pa harruar 20 të tjera që janë fituar nga marketingu dhe të drejtat televizive.
INVESTIME – Kjo është një shifër e kënaqshme për një ekip që kërkon të bëjë investime të mëdha në të ardhmen dhe të sigurojë shërbimet e disa talenteve të së ardhmes si Kylian Mbapesë dhe Erling Haaland.
Drejtuesit ekonomikë të Realit e shohin kualifikimin në fazën e grupeve si një mundësi të mirë për të mbushur arkat në një moment të vështirë që po kalon skuadra në aspektin ekonomik. Sigurisht që nuk duan të ndalen deri këtu.