Tirana udhëton nesër drejt Laçit për t’u ndeshur me vendasit ndërsa bardheblutë pas humbjes në derbi, janë rikthyer të jenë sërish në pozita të vështira për të siguruar pjesëmarrjen në Europë, duke qenë se në javët e mbetura janë të detyruar të kërkojnë gjithnjë maksimumin.
Megjithatë, para mediave, trajneri Orges Shehi theksoi se për skuadrën e tij sfida ndaj kurbinasve nuk është treni i fundit, ndërsa theksoi edhe faktin se ai nuk do të jetë kurrë një “qaraman” dhe se përgjegjësinë nuk do t’ia lej të tjerëve.
“Beteja me Laçin është shumë e vështirë dhe do jetë e luftuar për të dyja skuadrat, por kurrsesi nuk e shoh si trenin e fundit për Europën sepse ka edhe shumë javë në lojë, por e shoh si një ndeshje të rëndësishme për objektivat. Gjendja e skuadrës është e mirë përveç Visarit (Bekaj), që ka probleme dhe nuk do jetë nesër në lojë.
Pjesa tjetër është stërvitur mirë dhe janë në gjendje për gatishmërinë në ndeshjen e nesërme. Pushime më shumë se Laçi? Nuk e shoh si favor sepse kanë pasur kohë për të rikuperuar skuadrën. Kanë anë psikologjike shumë të lartë dhe e kanë faktor plus sepse ana kualifikimi në Kupë të jep tjetër moral. Gjithsesi ne fokusohemi te vetja dhe do bëjmë mirë detyrat tona.
Humbja në derbi erdhi në një moment shumë të mirë, tre fitore radhazi për herë të parë në këtë sezon. Në katër ndeshjet e fundit kemi marrë 9 pikë, por e kemi trajtuar këtë situatë për të mos pasur ngarkesë emocionale dhe të përqendrohemi te ndeshja e ardhshme.
Është gabim të qash atë që iku dhe të mos mendosh për të ardhmen sepse nuk duam të jemi sërish në situatën e mëparshme. Idetë dhe loja e skuadrës do kohën e vet. Në këtë situatë janë të rëndësishme pikët. Kemi marrë pikë edhe në ndeshje kur loja nuk ka qenë në nivelin e duhur. Ka pasur edhe ndeshje kur jemi shfaqur më mirë, por s’kemi marrë pikët. Nuk jam tipi që të justifikohem e të them se këtë skuadër gjeta.
E kam marrë skuadrën me koshiencë të plotë dhe do bëj maksimumin për të qenë aty ku duhet, pavarësisht situatës kur e mora skuadrën. Nuk do më dëgjoni kurrë të jem qaraman dhe të qaj gjëra të tilla. Të fokusohemi te ndeshja e nesërme. Futbolli të jep mundësinë për të rikuperuar. Unë kurrë nuk do e lë përgjegjësinë te të tjerët”, u shpreh Shehi.