Holandezi e pranoi se ka ndryshuar atmosfera në klub, pas caktimit të presidentit të ri: “Je më i qetë kur ke dikë që interesohet për klubin, por kjo nuk e ndryshon aspak punën tonë në fushën e stërvitjes”.
Sa e rëndësishme është ndeshja kundër Real Sociedad, ekipi kundër të cilit keni luajtur tashmë në Superkupë, para se të ndalet kampionati për ekipet kombëtare?
Është ndeshja e tretë që luajmë kundër tyre në këtë sezon.
Real Sociedad është një ekip i fortë, një nga më të mirët në këtë kampionat. Gjithmonë do të ndërtojë aksione dhe të shtyjë përpara. Do të jetë e vështirë.
A jeni i lumtur me zgjedhjen e Joan Laporta si president?
Është e rëndësishme të kesh një president. Të jep qetësi shpirtërore, kur dikush është fytyra e klubit, por asgjë nuk ndryshon në punën tonë.
Si e pritët fjalimin e mbështetjes për ju nga Laporta?
Është e rëndësishme që drejtuesit ta nxjerrin në pah punën që po bëjmë. Ai më përgëzoi personalisht që pas ndeshjes në Paris. Duhet të vazhdojmë në këtë linjë, në mënyrë që rezultatet ta përforcojnë vlerësimin e presidentit. Shpresoj se puna ime këtu do të zgjasë për një kohë të gjatë.
Po lavdërimet nga Tusquets?
Unë kam folur për disa gjëra me të, edhe për pagat, sepse duhet të kuptoja situatën e klubit. Ai ishte gati të na ndihmonte në çdo kuptim. I vlerësoj shumë fjalët e tij.
A mund ta mbyllni këtë sezson me dy trofe?
Nuk më pëlqen të flas për dopietën. Situata ndryshon shumë shpejt, pak kohë më parë ishim keq. Duhet të shikojmë lojë pas loje. Jemi katër pikë prapa kreut dhe kalendari është shumë i vështirë. Nesër kemi një finale ndaj një kundërshtari shumë të vështirë. Mbetet ende rrugë e gjatë për t’i fituar gjërat.
Ekipi po arrin kulmin apo ka vend për përmirësim?
Gjithmonë ka vend për përmirësim. Trajektorja jonë në ndeshjet e fundit është e mirë, por u detyrua nga distanca që na ndante nga kreu.
A e dini që historikisht, “Anoeta” ka qenë e komplikuar për Barçën?
Nuk e di nëse do të jetë loja më vendimtare, por kemi një distancë nga kreu. Kjo nënkupton se çdo humbje mund të kushtojë shtrenjtë. Është një fushë e komplikuar, Real Sociedad luan mirë, ka një trajner të shkëlqyeshëm. Është një ndeshje shumë interesante.
Si e vlerësoni Haaland, do të dëshironit ta trajnonit?
Për respekt, unë nuk do të flas për një lojtar, që nuk është i yni. Ne mund të flasim shumë për lojtarët, por duhet të përqendrohem te lojrat dhe lojtarët që kam. Sezoni tjetër është histori tjetër.
A jeni i shqetësuar për kartonët e De Jong dhe Messi?
E dimë që ata janë një karton larg pezullimit, por kjo është situata që ekziston. Unë nuk do të rezervoj askënd. Shpresoj se nuk do të ndëshkohen. Nëse ndodh, dikush tjetër do të luajë.
A keni garuar kundër Messit në goditje direkte të lira, pas stërvitjes?
Nuk jam më në formë për të goditur. Pastaj, nuk mund ta krahasoni. Ai është me të majtën, unë jam me të djathtën. Shpresoj që Leo të vazhdojë të shënojë sa më shumë.
A po planifikoni të takoheni përsëri me Laportën?
Pas ndeshjes së nesërme, do të përfitojmë nga pushimi për të folur mbi të ardhmen, ekipin, nënshkrimet dhe për t’u njohur më shumë me njëri-tjetrin.
Si po shkon riaftësimi i Ansu Fati?
Po zgjat më shumë sesa prisnim. Pas disa javësh ai do të stërvitet përsëri, është i ri dhe i fortë. Nuk po nxitojmë me të.