Seria B sot ka parë të zhvillohet një ndeshje shumë e veçantë mes dy portierëve shqiptarë që aktualisht tregojnë vlerta e tyre në këtë kampionat dhe janë kthyer në rivalë për një vend në zonën e ngjitjes në Serinë A.
Etrit Berisha me SPAL, është ndeshur sot me Elhan Kastratin i cili po luan rregullisht me skuadrën e Çitadelës, duke e ndihmuar këtë fundit që të jetë një pretendente në zonat e larta të klasifikimit. Ndeshja mes dy skuadrave përfundoi me fitoren minimale 1-0 të SPAL, që iu bashkua në kuotën e 45 pikëve pikërisht Çitadelës, në zonën e play-off për ngjitjen në Serinë A.
Ndërkohë, ka festuar sot përsëri prurja më e re e kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, i cili ishte në fushën e lojës deri në minutën e 78 në fitoren 1-0 ndaj Entelës që mban ekipin e Empolit në kreun e renditjes së Serisë B dhe kandidat kryesor për ngjitjen direkte në elitë.
Kastriot Dermaku, i kthyer nga dëmtimi, pa nga stoli fitoren 3-0 të Leçes ndaj Frosinones dhe kthimin e ekipit të tij në vendin e dytë në renditje, ndërsa Ledian Memushaj me Peskarën vazhdon momentin e dobët, pasi sot u mund 1-0 nga Viçenca dhe mbetet në zonë e rrezikshme të klasifikimit.
Në fushë, me ekipin e Rexhianës në barazimin 1-1 ndaj Kozencës ishte edhe Arlind Ajeti, i cili po aktivizohet me rregullsi tashmë në Serinë B dhe po i afrohet formës që gëzonte deri pak vite më parë.