Portieri i Sevillës, Bono, ishte protagonist në sfidën e kampionatit ndaj Vajadolidit, duke shënuar një gol special në sekondat e fundit.
Skuadra e tij po humbiste, në transfertë me rezultatin 1-0, teksa 29-vjeçari nga Maroku, evitoi disfatën, duke tundur rrjetën, pas një harkimi nga këndi. Bono goditi saktë në afërsi të pikës së penalltisë, duke bërë që ndeshja të mbyllej në barazim 1-1.
Pas ndeshjes, portieri i ka habitur të gjithë me deklaratën, teksa ka thënë se nuk dinte si ta festonte golin e shënuar.
“Është e pabesueshme. Është e vërtetë e vështirë të përshkruaj ndjenjat e mia në atë moment.
Të them të drejtën nuk dija si ta festoja golin e shënuar. Unë jam mësuar që qëndroj vetëm në portë, por më pas dëgjova trajnerin që më tha se duhet të shkoja te zona e kundërshtarit. Jam shumë i lumtur që shënova.”, tha Bono.