Sulmuesi më i spikatur i Superligës së Kosovës në futboll, Mirlind Daku ka realizuar sërish për Ballkanin ndaj Trepçës ’89 në javën e 26-të.
Përkundër formës së lartë nga sulmuesi gjilanas, ai nuk është ftuar nga përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes.
Ky i fundit ishte në tribuna kur Daku realizoi, teksa lojtari i Ballkanit ka folur pas ndeshjes për ftesën nga Përfaqësuesja.
“Nuk kam pranuar ftesë nga selektori dhe nuk e dija që ai do të ishte sot i pranishëm. Unë nuk jam zhgënjyer, pasi që do të vazhdoj të punoj si normalisht edhe pse një ftesë e mundshme do të ma shtonte motivin dhe mundësinë për t’u transferuar në ndonjë klub evropian”, tha fillimisht Daku.
Daku ka shtuar se do të ishte i nderuar nëse do të mund ta përfaqësonte Kosovën.
“Unë do të punoj edhe më shumë për të arritur një mundësi të tillë. Do të isha i nderuar që ta përfaqësoja vendin tim. Premtoj që gjithmonë do të jap maksimumin nëse do të më jepet një mundësi e tillë”, deklaroi Daku.