Trajneri i njohur merr drejtimin e Lirisë

Futboll

Trajneri i njohur merr drejtimin e Lirisë

Më: 21 mars 2021 Në ora: 17:22
Skender Shengyli

Skender Shengyli ka bërë prapaktheun duke e marrë sërish drejtimin e Klubit Futbollistik “Liria”.

Pas vetëm disa muajsh që kishte liruar karrigen e stolit për Naxhi Shensojin, tashmë tekniku prizrenas është riemëruar si shef i shtabit teknik, teksa e ka drejtuar me shumë sukses ndeshjen ndaj Vushtrrisë, të fituar në vikend me rezultat të thellë 7-1.

Informacionin e ka konfirmuar vetë Shengyli në një prononcim, derisa ka treguar edhe arsyen e këtij rikthimi.

“Po, është e vërtetë që jam rikthyer te Liria. Unë faktikisht asnjëherë nuk kam qenë i larguar, pasi që isha pjesë e klubit dhe pas largimit të trajnerit Naxhi Shensoji mu ofrua sërish kjo pozitë dhe për hir të klubit dhe qytetit vendosa ta pranojë”, deklaroi fillimisht Shengyli.

Ai tregoi edhe objektivat që ka me prizrenasit për pjesën e mbetur të kampionatit dhe jetëgjatësinë e kësaj marrëveshje.

“Këtë edicion duhet pranuar që jemi pa objektiva. Kemi ngecur prapa në luftën për ta siguruar rikthimin në elitë dhe do të provojmë të inkuadrojmë futbollistë të rinj për t’i parë nëse do të na shërbejnë për të ardhmen e klubi”.

“Unë do të jem në krye të skuadrës deri në fund të kampionatit. Më pas do të ulemi me drejtuesit e klubit, të shohim se cilat do të jenë planet dhe çfarë do të bëjmë në edicionin e radhës, pasi që është mëkat një klub si Liria të qëndrojë në Ligën e Parë”, përfundoi Shengyli.

Aktualisht Liria ndodhet në pozitën e gjashtë të renditjes tabelare me 25 pikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat