Rrugëtimi nëpër fshatrat të qyteteve të Republikës së Kosovës, ka qenë me rrezik të lartë gjatë viteve të 90-ta (1991-1999).
Skuadrat shqiptare u dëbuan nga stadiumet dhe palestrat sportive nga pushtuesi serb, kështu që aktivitetet i zhvilluan në livadhe dhe fusha të improvizuara nëpër fshatrat e ndryshme.
Mehmet Cërvadiku i takon Gjeneratës së Republikës dhe ka qenë ndër mbrojtësit më të mirë, duke luajtur me sukses për Feronikelin nga Drenasi.
Ai kujton një rast të rëndë në vitet e 90-ta.
“Njëra ndër to ka qenë në Smrekovnicë, ku pas lojës për Kupë të Kosovës, milicia serbe na kanë mbajt në rrugë për rreth 2 orë e na kanë dërguar në stacionin policor në Vushtrri, duke na maltretuar, vetëm pse luanim dhe iu pengoni aktivitetet e shqiptarëve”, tregon Cërvadiku për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Cërvadiku ndihet krenar që dha sado kudo kontribut në vitet më të rënda dhe iu kundërvunë regjimit serb.