Sezoni 2020-2021 që në embrion ishte një sezon i veçantë, sepse për herë të parë një edicion nisi në muajin nëntor dhe do të përfundoj në maj, pra do të zhvillohet në një hark kohor më të shkurtër, por vijimësia e sezonit po dëshmon se është edhe një edicion i çuditshëm.
Çdo skuadër mund të fitojë më këdo, por edhe humbasë me këdo, natyrshëm Tirana kampione në fuqi është pjesë e këtij sezoni atipik.
Disa herë bardheblutë kanë dalë e disa herë kanë rihyrë në garën për titull. Humbja me Partizanin u duk se i largoi jo vetëm nga trofeu i kampionit por edhe nga gara për Europë, tashmë fitorja me Laçin ka rindezur një dritë të vogël shprese për ta mbyllur për të dytin sezon radhazi në vendin e parë.
Tirana ka 7 pikë më pak se Vllaznia dhe pas pauzës së përfaqësuseve do të kemi dy përballje të rëndësishme, vendi i parë pra Vllaznia me vendin e 3-të Partizanin, dhe vendi 4-t me vendin e 2-të, Teuta-Laçi. Bardheblutë presin Apoloninë dhe kanë një shans të madh për të përfituar.
Nuk do të jetë e thjeshtë sepse fierakët kanë humbur vetëm 1 nga 5 ndeshjet e fundit, por nëse kampionët synojnë të afrohen me kreun duhet me çdo kusht t’i marrin maksimumin atij takimi.
Mundësia ekziston që pas javës së 26-të Tirana të jetë edhe më pranë 4-esh së parë, dhe në lojë do të kishte eventualisht edhe 30 pikë, atëherë askush nuk do të kishte të drejtën t’a llogariste Tiranën jashtë valles së titullit.