Policia e Kosovës i ka marrë në pyetje disa persona në lidhje me raportimet në media për gjoja një përleshje fizike në ekipin kombëtar të Kosovës mes portierit Arijanet Muric dhe anësorit Edon Zhegrova.
Zëdhënësja e policisë së Kosovës, Florie Ahmeti, ka konfirmuar për GE se nuk ka gjetur prova për të hapur ndonjë rast në lidhje me këtë incident.
“Pas raportimeve të mediave, Policia e Kosovës ka kontaktuar personat kompetent të hotelit si dhe menaxherin e përfaqësueses dhe ka rezultuar se nuk ka pas elemente për inicim të ndonjë rasti”, tha Ahmeti.
Portieri i parë i Kombëtares, Muric, u përjashtua të martën prej kampit dardan për ndeshjet e këtij muaji nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Në një komunikatë për media, organi qeverisës i futbollit të vend e njoftoi se i kishte përjashtuar portierin e klubit holandez Willem II për, siç tha, arsye disiplinore.
Por në media u raportua bujshëm për një përleshje fizike mes tij dhe yllit të llastuar të ekipit kombëtar, sulmuesit të Baselit Zhegrova. Po ashtu, në disa media të tjera lokale u raportua se Muric kishte shkuar në gjendje të dehur në hotelin ku po qëndronte kampi verdhekaltër.
Kjo e ka shtyrë policinë t’i marrë në pyetje disa persona, përfshirë zyrtarët e hotelit ku është e vendosur Kombëtarja dhe menaxherin e ekipit kombëtar të Kosovës.