Cesare Prandelli vazhdon të mbetet në zemrat e tifozëve të Fiorentinës. Pavarsisht largimit nga stoli i skuadrës për herë të dytë pak ditë më parë dhe emërimit në krye të skuadrës së Beppe Iachinit mendimet e fansave të zjarrtë të Fiores janë të gjitha për Prandellin.
Ish-tekniku i kombëtares italiane zbuloi se stresi i punës po ndikonte në shëndetin e tij mendor e si pasojë hoqi dorë, duke dhënë dorëheqjen nga stoli i Fiorentinës. Cesare Prandelli nuk ka qenë kurrë më i njëjti që nga ndarja nga jeta e bashkëshortes së tij disa vite më parë, pasi vazhdon ta ndjejë shumë mungesën e saj.
Për ta përshëndetur dhe për t’i shfaqur mbështetjen e tyre, ultrasit e klubit vjollcë kanë vendosur një banderolë në hyrje të qëndrës stërvitore të Fiorentinës, dedikuar pikërisht Prandellit. “Njeriu vjen para rolit të trajnerit. Ne do të jemi gjithmonë krenar për ty”, shkruhet në banderolën e vendosur. Një mesazh i “ngrohtë” për trajnerin që i ka dhënë shumë Fiorentinës sidomos në eksperiencën e tij të parë që zgjati 5 vite nga 2005 në 2010-ën.
Ndërkohë presidenti i Fiorentinës Roco Commiso kërkon ta mbajë në instancat e klubit Prandellin dhe në pamundësi për të drejtuar skuadrën për çështje shëndetësore i ka ofruar rolin e drejtorit të qëndrës së re stërvitore që ai po ndërton për skuadrat e moshave të klubit vjollcë.