Në vigjile të ndeshjes futbollistike Kosovë-Suedi, e vlefshme për kualifikimet për Botërorin 2022, në Katar, vëmendje të veçantë pati në mediet suedeze, ku Kombëtarja e Kosovës u vlerësua si ekip me vlera që nuk duhet nënvlerësuar, duke përmendur sukseset e saj në fushën e futobllit në renditjen e FIFA-s, etj.
Kështu, Aftonbladet i kushtoi një hapësirë të veçantë për ndeshjen Kosovë-Suedi, në të cilën shkruan, veç tjerash për atmosferën që po mbretëron në kuadër të ekipit suedez në Prishtinë. Kjo gazetë citon deklaratat e trajnerit të përfaqësueses suedeze lidhur me lojën që do të zhvillojë sonte kundër Kosovës.
“Ekipi i kombëtares suedeze në ndeshjen kundër Kosovës do të jetë me pak ndryshime për dallim me ekipin që bëri ndeshjen me Gjeorgjinë”, deklaroi trajneri i ekipit suedez, Janne Andersson, transmeton rtklive.
Ai përmendi për mënyrën e lojës, për synimin që ekipi do ta ketë në këtë përballje. Në repartin e sulmit, Andersson ka vendosur të caktojë Alexander Isak dhe Zllatan Ibrahimoviq. Tutje, ai shtoi se ekipi suedez do të praktikojë një lojë ekipore, ndërkohë që në repartin e sulmit duhet të kihet kujdes që të mos e lëshojmë topin në vendet e gabuara. “Duhet të jemi pak më të drejtpërdrejtë në sulm, të jemi më të qartë”, deklaroi ai.
Po kështu, kjo revistë sportive (Sportbladet) bën fjalë kryesisht për ekipin e përfaqësueses së Kosovës, për mungesat e lojtarëve në përbërjen e saj. Duhet theksuar se vëmendje më e madhe kishte mungesa e portierit të reprezentacionit të Kosovës, Arienet Muric, i cili, siç bëhet e ditur, ishte suspenduar për çështje disiplinore, ndërkohë që përmenden edhe katër lojtarët e tjerë të cilët do të mungojnë, në ndeshjen e sotme, qoftë për arsye lëndimi, qoftë për arsye shëndetësore, që për taborrin suedez konsiderohet si diçka e mirë dhe me fat.
Por edhe në ekipin e reprezentacionit suedez ka mungesa të lojtarëve të rëndësishëm. Kështu, në duelin e sontëm mes Kosovës e Suedisë në ekipin suedez do të mungojnë portieri Robin Olsen, pastaj Dejan Kuluevski, si dhe Albin Ekdal, i cili pati rastin të luante kundër Gjeorgjisë, por që pësoi lëndim. Këto lëndime dhe mungesa të lojtarëve kanë ndikuar të zvogëlojë mundësinë që të bëjë rotacion në ekip”, deklaroi Andersson.