Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Besar Halimi, ka këmbëngulur se atij dhe bashkëlojtarëve të tij iu mungoi fati në humbjen e thellë 3:0 kundër Suedisë.
Ludwig Augustinsson dhe Alexander Isak nga një herë në pjesën e parë dhe Sebastian Larsson nga penalltia në pjesën e dytë shënuan për t’ia siguruar Suedisë fitoren ndaj Kosovës të dielën në Prishtinë, raporton Gazeta Express.
Dardanët po vinin të motivuar në këtë takim, pasi e kishin mposhtur Lituaninë 4:0 në një ndeshje miqësore në mesjavë, por e vetëdijshëm që mungesat e mëdha si kapiteni Amir Rrahmani, Ibrahim Dresevic në mbrojtje, Valon Berisha e Herolind Shala në mesfushë.
“Na mungoi fati. Golat i pranuam shkaku i fatit. Suedia është tjetër nivel, natyrisht. Nuk jemi të dëshpëruar sepse nesër e nisim nga fillimi. Suedia luajti me topa të gjatë dhe neve na munguan Amiri (Rrahamni) dhe (Ibrahim) Dresevic”, tha Halimi pas ndeshjes.
Ai u zotua se do të mundohet ta japë maksimumin kundër Spanjës të mërkurën.
“Përqendrimi ynë është te Spanja dhe do ta bëjmë maksimumin për të nxjerrë rezultat të mirë”.