Ish trajneri i Dritës së Gjilanit, dhe tani i KF Laçit, Shpëtim Duro ka qenë i ftuar në emisionin “Jashtë loje”, ku ka rrëfyer pengjet e tij në karrierë.
Duro ka thurur elozhe për futbollistin nga Prishtina, Mentor Mazrekajn, një futbollist që talenti dhe cilësitë kurrë nuk i kanë munguar.
Trajneri shqiptar deklaroi se do të kishte dëshirë ta shihte të luante me Kombëtaren shqiptare, ku ka bindjen e plotë se do të ishte më i miri në fushë.
“Mazrekaj është i ftohtë, është tip i çuditshëm. Është i keqi i vetes. Futbollist i jashtëzakonshëm, djalë i mirë edhe për veten edhe për grupin. Po bisedoja pra ca ditësh me një drejtues. Do kisha dëshirë të luante 45 minuta me Kombëtaren. I thashë: “Unë dorëzoj licensën nëse ai nuk do ishte më i miri me Kombëtaren”. Di të luajë futboll”, deklaroi Shpëtim Duro.
Mazrekaj këtë sezon po shkëlqen me fanellën e Laçit në Kategorinë Superiore, duke qenë futbollisti kyç i skuadrës së Duros në luftën për titull të kampionit.