Antonio Cassano ishte i përfaqësuar në serialin televiziv, të transmetuar në “Sky” dhe titulluar “Speravo de morì prima”, i cili tregon historinë e dy viteve të fundit të karrierës së Francesco Totti. Ish-talenti nga Bari, pasi kishte folur për të në “Bobo TV”, disa ditë më parë, u pyet edhe nga “Striscia la Notizia”, program televiziv që i dha “Tapiro d’oro”.
Ky është një fragment nga fjala e Cassano, në episodin që do të transmetohet këtë mbrëmje: “Nuk më pëlqente shumë seriali për Tottin. Realiteti në të nuk i kalon 5%, pjesa tjetër është e trilluar. Unë jam trajtuar aty si dikushi që nuk jam.
Jam një i çmendur jashtë shtëpisë sime, e pranoj, por në shtëpinë e Francesco gjithmonë jam sjellë mirë. Asnjëherë nuk i kam goditur dyert! Për të mos folur për aktorin që luan pjesën time: nuk jam i bukur, por ai është më keq”.
Për Cassano, gjithashtu nuk ka ngjashmëri midis aktorit Pietro Castellitto dhe Totti: “Nuk ka asnjë lidhje me të, ai duket më shumë si Perin (Mattia, portier i Genoa) sesa Francesco. Marrëdhënia ime me Tottin? 5-6 muajt e parë, ai ishte beqar dhe dilnim nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ndonjëherë qëllonte të rrinim jashtë deri të nesërmen në mëngjes, shkonim drejt e në “Trigoria” (qendra stërvitore e Romës).
Pastaj, Francesco u fejua dhe unë fillova të bëja kërdinë vetëm. Mos harroni se asokohe isha 20 vjeç. Sot, me shpresë, më keni duke fjetur në shtrat në mesnatë”.