Franko Varela, trajneri i San Marinos, është një mik i Edi Rejas dhe të dy janë përshëndetur në distancë në konferencat përkatëse për shtyp para ndeshjes të kualifikuesve të Botërorit që Shqipëria zhvillon në stadiumin e Seravales.
Tekniku i përfaqësueses vendase ka shpjeguar se edhe Shqipëria ndaj Anglisë kishte bërë atë që bënte San Marino ndaj kundërshtarëve më të fortë, ndërsa paralajmëroi se skuadra e tij do të mundohej të shihte pak më shumë se zakonisht drejt sulmit.
“Në kompaktësinë në mbrojtje më duket se Reja ka lexuar mirë dy ndeshjet tona, ndërsa duhet pranuar se edhe ata kundër Anglisë kanë pasur zgjedhje të shumta në menaxhimin e hapësirave. Edhe ne para kësaj skuadre të madhe, kemi bërë mirë dhe e kemi treguar edhe ndaj Hungarisë.
Na mungon, më shuam se forca fizike, gjendja mendore. Jam i bindur se nëse secili prej lojtarëve tanë do të vidhte topin në mesfushë në kampionat, do të provonte të shkonte drejt portës. Por ne kemi ende pak frikë që të dumë të fitojmë. Ndoshta te kundërsulmi jemi ende larg, por te aftësitë mbrojtëse kemi filluar të interpretojmë mirë situatat.
Këtë herë duhet të jemi më guximtarë, edhe pse do të ketë më shumë rreziqe. Me Hungarinë hoqëm dorë që të shkonim të vidhnim topin në gjysmëfushën e tyre dhe kjo na largoi nga porta.
Ne duhet të fitojmë topin sa më afër zonës kundërshtare që të jemi efikas, pasi ndryshimi në aspektin atletik mes nesh dhe kundërshtarëve është shumë i madh. Do të jetë e rëndësishme që të gjejmë qëndrueshmëri mbrojtëse, që na lejon të luajmë 20 metra më para, edhe nëse do të pësojmë ndonjë gol më shumë”, tha Varela.