Maqedonia e Veriut cakton premio të majmë për lojtarët

Futboll

Maqedonia e Veriut cakton premio të majmë për lojtarët

Më: 2 prill 2021 Në ora: 11:39
Maqedonia e Veriut cakton premio të majmë për lojtarët

Fitorja me Gjermaninë në kualifikueset e Botërorit ka shtuar besimin se Maqedonia e Veriut mund të bëjë një surprizë edhe në Europianin e këtij vitit dhe për këtë arsye, në shtetin fqinj nuk po kursehen duke menduar edhe shpërblimet në rast të çdo arritjeje.

Federata Maqedonase e Futbollit ka caktuar një premio të majmë për të gjithë pjesëtarët e aktivitetit në verë, me bonuse të rëndësishme në varësi të rezultateve që arrijnë.

Sipas “Sport1.mk”, për çdo barazim ekipi do të përfitojë një premio prej 300 mijë eurosh, ndërsa shuma do të jetë 600 mijë euro në rast fitoreje gjatë fazës finale të turneut.

Në këtë mënyrë, FFM ka caktuar që rreth 40% e të ardhurave të siguruar nga UEFA si shpërblim për pikët që merren në aktivitet, do t’u  shkojë direkt lojtarëve dhe stafit. Nëse skuadra arrin në fazën me eliminim direkt, atëherë këto vlera do të pësojnë një rritje më të ndjeshme.  

Raportohet se gjatë eliminatoreve të Europianit nga bonuset e ndryshme që janë caktuar nga Federata Maqedonase, disa nga lojtarët dhe trajneri Angelovski kanë përfituar deri në 125 mijë euro secili.

Këtyre shumave pritet t’u shtohen të tjera nga sponsorë të ndryshëm të Federatës apo jashtë saj, që janë gati të kontribuojnë për të parë Maqedoninë e Veriut të regjistrojë suksese të rëndësishme në aktivitetin e rëndësishëm të kësaj vere.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat