Chelsea do të tentojë të prishë planet e Barcelonës për të firmosur me mesfushorin e Liverpulit, Georginio Wijnaldum, këtë verë.
Mesfushori holandez, në skadencë kontrate në “Anfield Road”, është i preferuari i Ronald Koeman, i cili dëshiron ta ketë në skuadrën e Barçës.
Por, për shërbimet e 30-vjeçarit, i cili nuk ka pranuar ofertën e “Reds”-ave për të rinovuar bërë në fund të vitit të shkuar interesohet edhe PSG-ja dhe Juventusi me Interin në Itali. Sipas “Marca”, tani në garë ka hyrë edhe Chelsea.
Siç transmeton Panorama, Jurgen Klopp nuk dëshiron që ta humbasë mesfushorin e tij dhe i ka kërkuar klubit që të bëjë çmos për të firmosur një kontratë të re, por bisedimet mes lojtarit dhe drejtuesve janë ndërprerë që në muajin dhjetor.