Paulo Dybala, Arthur dhe McKennie morën pjesë në një festë private të organizuar në vilën e mesfushorit amerikan, e cila u ndal vetëm pas mbërritjes atje të forcave të policisë.
Ky gjest i futbollistëve ka shqetësuar jo pak drejtuesit e klubit bardhezi, ndërsa trajneri Andrea Pirlo ka vepruar me dorë të ashpër ndaj tyre, duke mos i grumbulluar për ndeshjen e nesërme ndaj Torinos në derbi.
“Vendimin për lënien jashtë të tyre e mora unë dhe sigurisht që pata edhe mbështetjen e klubit. Këto gjëra ndodhin, por ky nuk ishte momenti i duhur, pasi bota po kalon momente të vështira dhe ne duhet të jemi një shembull i sjelljes në kushtet e pandemisë”, deklaroi trajneri bardhezi.
Përveç tre futbollistëve të pezulluar nga Pirlo, Juventus nuk do të ketë në derbi as Buffon, të pezulluar nga Gjykata Sportive dhe Bonuccin e Demiral, të prekur nga koronavirusi, ndërsa dyshime ka edhe për polakun Szczesny.
“Presim me qetësi tamponin e Szczesnyt, por për çdo rast kemi Pinsoglion, pasi pezullimi i Buffon ishte diçka e papritur për ne. Do të jetë në dispozicion edhe Chiellini, të cilin Mancini na e dërgoi më herët, ndërsa edhe brazilianët Danilo e Alex Sandro janë në formë të mirë. Megjithatë derbi është derbi dhe na duhet të japim maksimumin për t’u rikthyer te suksesi”, deklaroi Pirlo.
Eliminimi nga Liga e kampionëve dhe dalja nga gara për titullin kampion ka tronditur jo pak pozitat e trajnerit në pankinën e Juventusit, megjithatë Pirlo pranon se e ardhmja nuk e shqetëson dhe se mendon vetëm për ndeshjen e radhës.
“Nuk më shqetëson aspak e ardhmja, pasi mendoj vetëm për ndeshjen me Torinon. Jemi në një fazë vendimtare të sezonit dhe duhet të jemi të përqendruar të bëjmë maksimumin, pasi llogaritë bëhen në fund”, tha Pirlo.