Ylli i “Bluve” vazhdimisht është duke u lidhur me një rikthim të mundshëm në Serie A.
Mesfushori i Chelseat Jorghino do të qëndrojë edhe këtë verë te klubi i tij, dhe këtë gjë e ka konfirmuar edhe vetë agjenti i italianit, Joao Santos.
Muajin e kaluar Jorghino kishte treguar se është i gatshëm që të largohet nga “Stamford Bridge”, pasi që nuk është fans i klimës së Anglisë, dhe që dëshiron të rikthehet në Serie A.
Agjenti i tij Santos, po ashtu kishte treguar që lojtari është duke e konsideruar një rikthim tek klubi i tij Napoli, nëse prezantohet mundësia, por tani ka ndërruar fjalët, dhe insiston që ai do të qëndroj në Londër.
Në një intervistë për “Tuttomercato”, Santos u pyet rreth së ardhmes së Jorghinos, ku përgjigja e tij ishte se italiani do të qëndroj tek Chelsea.
“Ai ka edhe dy vite në kontratën e tij aktuale me Chelsean. Ai është duke menduar vetëm për të luajtur në garat evropiane dhe në Kampionatin Botëror në Katar. Ai do të qëndroj tek Chelsea, jam 100% i sigurte”, u përgjigj Santos.
Po ashtu, ai u pyet edhe nëse Jorghino do të nënshkruajë kontratë të re tek Chelsea, ku Santos nuk tregoi ndonjë detaj rreth kësaj çështje.
“Për këtë gjë, do të flasim pas disa muajve”, tha Santos.
Jorghino është duke kaluar sezonin e tij të tretë me Chelsean, ku që nga viti 2018, me ardhjen e Sarrit si trajner tek Chelsea, ai ishte transferuar nga Napoli.
Maurizio Sarri u largua pas një viti nga “Stamford Bridge”, por Jorghino qëndroi duke u bërë njëri nga lojtarët kyç nën urdhrat e Frank Lampard dhe Thomas Tuchel, kështu duke e arritur shifrën e 126-të paraqitjeve dhe 16-të golave për Chelsean.