Kukësi vijon të humbasë dhe sigurisht që trajneri Mirel Josa nuk është në pozita komode, madje rrezikon edhe shkarkimin. Europa tani as që mund të mendohet më. Trajneri i verilindorëve foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport dhe sigurisht kjo humbje mund të ketë pasoja të rënda, në vazhdimësinë e sezonit.
“Është një ngërç që po thellohet, duhet të jemi të kujdesshëm sa i takon marrëdhënies staf-lojtar.
Duhet analizuar ndeshja e sotme, sikurse kemi bërë çdo ndeshje. Krijuam raste, edhe pse Skënderbeu ishte ngjeshur prapa.
Problemi është se pjesën e dytë ishim shumë larg portës. Eze ishte i vetmuar dhe i pa pozicionuar sa i takon finalizimeve.
Goditja e Skënderbeut na uli psikologjikisht. Nuk kemi probleme fizike. Përmirësohemi duke shënuar dhe duke fituar. Normal presionin e ndjen çdo skuadër. Do mundohemi që ta ulim presionin dhe t’i bëjmë lojtarët të luajnë më lirshëm në ndeshjet në vazhdim”.
“A rrezikon Kukësi? Nuk është e njëjta situatë si te Tirana. Nuk luajnë vetëm lojtarët, luajmë edhe ne edhe drejtuesit. Duhet ta mbledhin veten sa më shpejt, ashtu sikurse edhe klubi duhet të jetë sa më i kujdesshëm. Ne këto vegla pune kemi dhe me këto do të luajmë deri në fund”.