Për të parën herë në historinë e tij në Superiore, Kukësi rrezikon të mbetet jashtë Europës.
Nëntë ndeshje radhazi pa fitore janë shumë për një skuadër me cilësi dhe të ndërtuar për të fituar.
Humbja e fundit me Skënderbeun ishte në vazhdën e këtyre hapave fals të verilindorëve, që u dorëzuan shumë shpejt dhe në garën e titullit, pasi po të llogarisësh katapultimin që pati dhe Tirana, me hapa më të sigurt Kukësi mund të kishte qenë dhe ai i përfshirë në garën për trofeun.
Në fakt verilindorët nuk është se nuk krijojnë dhe në shumë ndeshje janë dhe dominues ndaj kundërshtarit, por vuajnë gabimet e shumta në mbrojtje, ku pësojnë sistematikisht.
Nëse nuk ruan shifrën zero pas është e vështirë për më tepër të arrish te rezultati kërkuar por kjo rënie e befasishme e Kukësit në rezultate është e pakuptimtë.
Aq më tepër në një sezon, ku u dukën se në fillim verilindorët u projektuan për të arritur te trofeu. Kukësi është në udhëkryq për momentin dhe për të dalë nga kjo situate, ku afrohen dhe hijet e “play off”-it nevojitet një reagim I shpejtë, që nëse nuk vjen mund të krijojë telashe të pamenduara.