Skuadra e Akademia Pandevit është finalisti i parë në Kupën e Maqedonisë në futboll.
Skuadra nga Strumica, në gjysmëfinalen e parë, të zhvilluar në lagjen Gjorçe Petrov në Shkup, mundi skuadrën vendase të Makedonija Gjorçe Petrovit me rezultat 3:1.
Mysafirët nga Strumica hapën rezultatin me golin e Besnik Ferratit, ndërsa Izet Hajrullahu barazoi shifrat në 1-1. Pak më vonë, Ferrati u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, pas së cilës u largua nga terreni i gjelbër dhe do të mungojë në finalen e madhe të Kupës.
Në pjesën e dytë, Marjan Radeski, shënoi dy gola nga pika e bardhë, për të drejtuar Akademia Pandevin në finalen e Kupës së Maqedonisë, ku mbron titullin e arkëtuar në vitin 2019. Në gjysmëfinalen e dytë, që është programuar për ditën e enjte, do të takohen, Struga Trim Lum dhe Sileksi.