Pessina preket nga koronavirusi!
Vijojnë të shtohen të prekurit me koronavirus nga grupi i futbollistëve që ishin në grumbullimin e kombëtares italiane gjatë muajit mars, pasi i fundit që ka rezultuar pozitiv, është mesfushori i Atalantës Matteo Pessina.
Lajmin e ka dhënë klubi bergamask nëpërmjet një komunikate zyrtare, ku sqaron se futbollisti është asimptomatik dhe është vendosur në izolim, teksa janë ndjekur edhe të gjithë procedurat e parashikuara në protokoll.
Pessina i shtohet listës së gjatë të të prekurve nga koronavirusi si Bonucci, Florenzi, Verratti, Grifo, Cragno, Bernardeschi e Sirigu, të cilët kanë rezultuar pozitivë më herët, ndërsa të prekur nga Covid-19 janë edhe një numër i madh i stafit teknik të Mancinit.