Trajneri i Istogut, Nazmi Rama, ka thënë se skuadra e tij do të tentojë përmbysjen në ndeshjen e dytë ndaj Dukagjinit.
Istogu dhe Dukagjini zhvilluan sot ndeshjen e parë gjysmëfinale në kuadër të Kupës së Kosovës.
Fitorja i takoi Dukagjinit të Klinës me rezultatin 1-2, një rezultat që i favorizon ata për ndeshjen e kthimit.
Pas ndeshjes, Nazmi Rama për mikrofonin e “Art Sport” u shpreh:
“Ne jemi skuadër që luajmë futboll të bukur dhe në këtë terren ishte thuajse e pamundur. U kam thënë edhe futbollistëve që ajo skuadër që do gaboj më pak dhe do ketë më tepër fat do ta fitojë ndeshjen dhe ashtu ndodhi. Sikur kushtet atmosferike dhe gjendja e fushës të ishte më e mirë sot, ju garantoj se edhe ne do të ishim tjetër skuadër” – tha fillimisht trajneri i “Troftave”.
Tutje, Nazmi Rama foli edhe për ndeshjen e radhës që Istogu e luan ndaj Dukagjinit në fundjavë, kësaj radhe në kuadër të Grupit A në Ligën e Parë.
“Ne do të shkojmë në fundjavë për të luajtur me Dukagjinin dhe do të shfaqim një ndeshje krejtësisht tjetër. Po ashtu do të luftojmë edhe në ndeshjen kthyese për ta përmbysur këtë rezultat” – deklaroi Rama.