Juventusi dhe Milani kanë projektuar një shkëmbim kokë më kokë të dy lojtarëve të tyre, me Alesio Romanjoli i cili do të transferohej në Torino, ndërsa në Milano do të transferohej Federiko Bernadeski.
Të dy futbollistët kanë vuajtur shumë këtë sezon, ku presioni më i madh ka qenë nga ana e tifozëve të cilët nuk i kanë kapërdirë dot gabimet e lojtarëve të tyre.
Një shkëmbim i tillë sipas mediave në Itali është refuzuar nga skuadra e Milanit për tre arsye, e para është se Bernadeski fiton më shumë se Romanjoli dhe kuqezinjtë nuk janë të gatshëm të ofrojnë një rrogë të tillë një lojtari i cili nuk vjen në formën e tij më të mirë.
E dyta qëndron te fakti që të dyja ekipet duan të fitojnë para duke i shitur lojtarët e tyre dhe nuk duan të bëjnë shkëmbime, dhe e treta është se Milani nuk ka dalë asnjëherë e fituar nga tratativat me Juventusit, gjë e cila ka humbur besimin e drejtuesve kuqezi ndaj atyre të “Zonjë së Vjetër”.
Nuk dihet nëse do të ketë avancim të mëtejshëm të tratativave, por për momentin Milani ka ngrirë gjithçka.