Një tjetër shans për Skënderbeun. Duket se kjo është kryefjala e javës në Korçë, atje ku gjithçka zien sa herë ka një lajm në lidhje me të ardhmen e klubit dhe një shpresë për të zhbërë atë dënim që ndikoi direkt në rënien e futbollit korçar.
Lajmi i publikuar të enjten në “Panorama Sport” mori shumë shpejt dhenë dhe shpresa për një minimizim të dënimit pushtoi mendjet e çdo sportdashësi në juglindje.
Ishte e vështirë që atë ditë të gjeje një kopje të gazetës në Korçë apo më e pamundur që në çdo bar, restorant dhe vend publik të mos dëgjoje të flitej për këtë temë.
Mundësia e uljes së dënimit përkthehet doemos me një rilindje të epokës së artë të Skënderbeut. Megjithatë, tashmë duhet parë si do të shkojë padia e ish-ministrit Bode në Zvicër.