Në kohën kur Mino Raiola ka ndërmarrë një turne nëpër Europë për të kuptuar se cilat klube janë të gatshme për të bëra çmendurira për klientin e tij, Erling Haaland, disa lojtarë preferojnë t’i përfaqësojnë vetë interesat e tyre. Kevin de Bruyne, mesfushor i Manchester City-t, ra dakord për rinovimin e kontratës me Citizens deri në vitin 2025 pa ndihmën e asnjë përfaqësuesi. Më i fundit që u bashkua me këtë rreth të ngushtë lojtarësh të pavarur është edhe futbollisti i Bayernit, Joshua Kimmich.
Siç zbulohet nga gazeta gjermane “BILD”, futbollisti i kombëtares gjermane ka marrë vendimin që tani e tutje të heqë dorë nga shërbimet e agjencisë së tij, duke preferuar bisedimet e drejtpërdrejta në të ardhmen.
“Është një vendim që unë mora vitin e kaluar,” citohet të ketë thënë Kimmich. Ndryshe nga De Bruyne, i cili u nda me përfaqësuesin e tij Patrick De Koster, pasi u akuzua për pastrim parash dhe falsifikim të dokumenteve, lojtari i Bayernit ka arsye të tjera.
“Kam vendosur të mos përfaqësohem nga askush, por nga vetja ime, sepse dua të mbroj vlerat e mia dhe pikëpamjet e mia edhe më shumë dhe të mbaj lart përgjegjësinë time personale. Jam gjithashtu i bindur mund ta përfaqësoj më mire veten para të tjerëve”, – theksoi Kimmich.
Ish-përfaqësuesit e tij tashmë i kanë filluar bisedimet e para me Bayernin me rastin e rinovimit të kontratës së tij (skadon në 2023), detyrë për të cilën, tani e tutje, do të kujdeset vetë Kimmich.
Qëllimi i Kimmich është të ngjitet në shkallën e pagave të “yjeve” bavarezë si Lewandowski, Müller opo Kapiten Neuer. Ai kërkon të përfitojë një pagë bruto mbi 15 milionë euro në vit.