Vetëm pak ditë më pas, me emocionet ende të freskëta të asaj sfide në Niko Dovana, Teuta dhe Skënderbeu përballen sërish, këtë herë në kampionat.
Skuadra e Migen Memellit bëri surprizën e madhe duke shkurorëzuar kampionët në fuqi të Kupës Teutën, një injeksion i jashtëzakonshëm vetëbesimi edhe për këtë sfidë në kampionat, ku Skënderbeu në javët e fundit po tenton një mrekulli për të siguruar mbijetesën, dhe i është afruar me vetëm 3 pikë Bylisit të vendit të tetë, me garën që mbetet më e hapur se kurrë.
Për Teutën ndërkohë, është ndoshta më mirë që sfida riluhet brenda pak ditësh, i duhet të zbresë në fushën e Skënderbeut me inatin e asaj disfate të papranueshme, dhe dëshirën për një revansh për të treguar se ishte thjesht një aksident.
Skuadra Bregdetare për objektivin dhe investimet e bëra këtë sezon, është e dënuar për të fituar për të mos humbur kuota në luftën për titull, që në këtë fazë të katërt parashikohet më e ethshme se kurrë me plot 5 skuadra në garë për të fituar kampionatin.
Nga formacioni i Edi Martyinit kërkohet një autokritikë, duke nisur nga mbrojtja pika më e fortë e skuadrës që në gjysmëfinalen e Kupës pësoi dy gola, e deri te sulmi i paaftë për të çarë më pas mbrojtjen e mirëorganizuar të Skënderbneut, gjithsesi ajo sfidë tani ka mbaruar, dhe çdo ndeshje bën histori më vete, e sigurt është se në atë të kësaj të diele, te Teuta apo te Skënderbeu, për shkak të irritimit në kampin dursak apo atë të krenarisë te juglindorët, shkojnë me shpirtin e duhur për të dhënë maksimumin.