Vjosa e Shtimes, anëtar i Ligës së Dytë të Kosovës në futboll, reagon ashpër për incidentin me Fushë Kosovën.
Aty ndodhi turpi, ku kërciten grushtet e shqelmat.
“Ndërpritet ndeshja e zhvilluar sot në stadiumin e ‘Ekrem Grajçevci’ në Fushë Kosovë.
Në minutën e 60' KF Fushë Kosova nga pika e penalltisë shënon gol, në momentet e gëzimit të tyre ku të gjithë lojtarët nikoqir braktisin fushën për të festuar përveç portierit i cili nuk braktis portën dhe me sinjalizim të gjyqtarit, me shpejtësi nga pika e mesit lojtarët tanë fillojnë lojën, ku arrijmë ta përmbysim rezultatin në 1:1, ku gjyqtari kryesor sinjalizon për gol.
Pas këtij momenti, vërsulën shikuesit brenda fushës dhe pas 8 minutave presion dhe kërcënime nga kundërshtarët gjyqtari anulon golin.
Kërcënimet dhe sjelljet jo sportive nuk mjaftuan, shikuesit u vërsulën dhe sulmuan lojtarët tanë brenda fushës ku fusha e futbollit u shndërrua arenë boksi dhe karateje.
Është për të ardhur keq, se përveç tifozëve vendas, lojtarët tanë sulmohen edhe nga përfaqësuesi zyrtar i klubit nikoqir. Andaj ne si klub detyrohemi ta tërheqim ekipin, pasi që nuk kishte kushte për zhvillimin e lojës.
Ne si klub dënojmë ashpër sjelljet i tilla jo sportive në të gjitha fushat e futbollit të Republikës së Kosovës, andaj kërkojmë nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe të gjitha organet tjera, ti dënojnë sjelljet e tilla vandale dhe të merren masat në bazë të legjislacionit në fuqi, që e drejta sportive të triumfoj, që rastet e tilla mos të kenë vend në futbollin e Kosovës”, reagon KF Vjosa.