UEFA ia doli të fitojë betejën me 12 klubet “rebele” që krijuan Super Ligën europiane për klube, pasi kompeticioni u zhbë në më pak se 72 orë pas lindjes, për shkak të reagimeve të ashpra të qeverisë europiane të futbollit, njerëzve të këtij sporti dhe tifozëve.
Presidenti Aleksander Ceferin nuk e ka fshehur entuziazmin për këtë fitore dhe toni triumfator i përdorur në daljet e fundit për mediat rrezikon t’i kthehet në një “boomerang”, pasi në rrjetet sociale ka nisur të qarkullojë me shpejtësi hashtagu “Ceferinout”.
Ironia e kreut të UEFA-s me klubet e Juventusit dhe Realit të Madridit, si dhe kërcënimet e vazhdueshme për ndëshkim nga kompeticionet europiane, kanë bërë që të shpërthejnë pakënaqësitë edhe ndaj tij.
Kryesisht tifozët e këtyre dy skuadrave, por edhe të të tjera klubeve europiane, kanë filluar të evidentojnë pakënaqësitë e tyre ndaj UEFA-s dhe mënyrës së si ajo qeverisët, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të saj.