Legjenda e futbollit të Kosovës, Kujtim Shala, është duke shikuar me qetësi zhvillimet e fundit në futbollin e Kosovës.
Kujtim Shala tregon se a do të kandidojë për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ai shpesh pyetet nga dashamirët e lojës së futbollit, pse nuk kandidon për kryetar të FFK-së?
“A do të kandidoj për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës?
Është një numër i madh që më pyesin: Pse Kujtim nuk po kandidon?
Po e mendoj kandidimin tim!
Ka ardhur koha të mendojmë për të mirën e futbollit të Kosovës. Kosova është industri e futbollit, ne nuk jemi Gjibraltar e as San Marino, ne jemi diku afër të fuqishmëve.
A do të kandidoj? Do ta mendoj këtë punë. Ka kohë që e kam një presion nga dashamirët e futbollit, që kërkojnë të jem në krye të FFK-së?
Nëse do të jem, iu garantoj se FFK do të jetë një shembull jo vetëm i rajonit. Ende nuk kam vendosur asgjë, po e mendoj.
Faleminderit për të gjithë ata që me duan në krye të FFK-së dhe që vazhdimisht më pyesin pse nuk po kandidojë, aty e keni vendin.
Të shohim”, thotë Kujtim Shala për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Ish futbollisti i Lirisë nga Prizreni, Partizanit të Beogradit, Prishtinës, Dinamos së Zagrebit, skuadrave franceze e gjermane, një ndeshje me kombëtaren e Kroacisë, ende nuk ka vendosur asgjë, po e mendon këtë punë me gjakftohtësi.