Është mbyllur me fitore të mysafirëve takimi i javës së 31-të në Superligën e Kosovës në futboll mes Feronikelit dhe Arbërisë, shkruan Insporti.
Në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas është zhvilluar takimi i javës së 31-të në Superligën e Kosovës në futboll, ku Arbëria ka arkëtuar pikët e plota në fund të takimit.
Heroi i takimit, Kreshnik Bahtiri, duke folur për ART Motion pas përfundimit të takimit u shpreh i lumtur me golin, teksa deklaroi që Arbëria synon fitore në çdo takim.
“Jam shumë i gëzuar me golin dhe fitoren. Ne do të shkojmë në çdo ndeshje për pikët e plota dhe në fund shpresojmë shumë se do të mbesim në Superligë” – deklaroi ai.
Me këtë fitore skuadra e Arbnor Morinës bën garën për mbijetesë më interesante, duke i grumbulluar 33 pikë në pozitën e nëntë.