Bashkëshortja e Thiago Silvës, Belle, e ka kritikuar ashpër sulmuesin Timo Werner, pas barazimit të Chelseat 1:1 me Real Madridin në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve të martën.
Të kaltrit e Londrës u kthyen nga Madridi me një gol të rëndësishëm si mysafir.
Chelsea bëri paraqitje shumë të mirë dhe e mbizotëroi Realin për pjesën më të madhe të ndeshjes, por nuk arriti ta mbrojë epërsinë e krijuar në pjesën e parë falë golit të Christian Pulisic, pasi Karim Benzema shënoi për vendasit pak çaste më vonë.
Skuadra e Thomas Tuchel pati disa raste të pastra shënimi, veçanërisht përmes sulmuesit gjerman Werner.
Gruaja e mbrojtësit të Chelseat mbeti e mllefosur me paraqitjen e Wernerit, i cili nuk ishte në gjendje ta fuste topin në rrjetën e portës boshe nga tri metra largësi.
Ajo e kritikoi gjermanin në rrjetet sociale, duke thënë: “Ai vazhdon të mos shënojë gola. Kjo është karma. Në secilin ekip që shkoj është një lojtar i cili bën huqje të mëdha para portës… ky Werneri, si e ka emrin?”
Ajo shtoi: “Na duhet një gol, na duhet ta fitojmë këtë ndeshje por sulmuesit e mi nuk duan të shënojnë, nuk e di pse nuk shënojnë”.