Hansi Flick do të largohet në fund të këtij sezoni nga posti i trajnerit te Bayern Munih.
Federata e Futbollit të Gjermanisë e ka konfirmuar se do të hapë bisedimet me Hansi Flick për zëvendësimin e trajnerit Joachim Low, raporton “Goal”.
Low do të largohet nga Kombëtarja e Gjermanisë pas Kampionatit Evropian këtë verë, pas 15 vjetësh.
Në një intervistë për “SID”, krerët e Federatës së Futbollit të Gjermanisë treguan admirimin që kanë për Hansi Flick, ku edhe konfirmuan që do të fillojnë bisedimet këtë verë me trajnerin gjerman.
“Të gjithë në Federatë e dimë kualitetin e Hansi Flick. Mund ta konfirmojmë që rreth kësaj teme, ne do të fillojmë bisedimet me të, dhe me përgjegjësit e tij tek Bayerni”, shkruan Federata e Futbollit të Gjermanisë.
Flick do të largohet në fund të këtij sezoni nga Bayerni, me të cilin fitoi të gjithë titujt e mundshëm brenda një sezoni, dhe është i pari në listën e të dëshiruarve që ta zëvendësojë Joachim Low në postin e trajnerit të Kombëtares gjermane.