E pranon Koeman: Është e çuditshme se si jemi në luftë për titull

Futboll

E pranon Koeman: Është e çuditshme se si jemi në luftë për titull

Më: 28 prill 2021 Në ora: 23:32
Ronald Koeman

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman pranon se nuk e priste që skuadra e tij të ishte akoma në garën për titull pas fillimit të dobët të sezonit.

Gjigandët katalanas janë aktualisht të tretët në La Liga, pas Real Madridit, por mund të kalojnë një pikë para liderëve Atletico Madrid nëse ata fitojnë ndeshjen e tyre të mbetur kundër Granadas të enjten.

Kjo përfaqëson një kthesë të jashtëzakonshme për ekipin e Koemanit, i cili ishte 10 pikë prapa Atleticos deri para pak javësh, përcjell KosovaPress.

Ndeshja e fundit e Barçës në vitin 2020 ishte një barazim 1-1 në shtëpi me Eibarin, por ekipi pësoi një transformim të madh në formë në vitin 2021.

Skuadra e Koeman ka fituar 15 nga 17 ndeshje në La Liga, me humbjen e tyre të vetme që erdhi kundër Real Madridit në fillim të këtij muaji.

Fitorja në “Camp Nou” të enjten do t’i bënte ata lider të tabelës kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje deri në përfundim të sezonit.

"Është e rëndësishme të fitojmë sepse jemi në një moment ku e dimë se mund të jemi udhëheqës dhe ky mund të jetë një shpërblim, por së pari duhet të fitojmë," u tha Koeman gazetarëve.

"Duhet t’i marrim lojërat një nga një. Nëse shikoni prapa, është një situatë e papritur. Ne patëm një ndryshim të madh pikësh dhe është diçka e madhe që kemi arritur, mundësia për të luftuar për të fituar La Ligan.”

"Në 17 ndeshjet e fundit, pothuajse gjysmën e sezonit, kemi 15 fitore. Kjo është mbresëlënëse. Dhe duhej të ishte kështu, sepse përndryshe nuk do të luftonim për titullin.", tha në fund Koeman.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat