Reali e Atletico duelojnë në distancë

Futboll

Reali e Atletico duelojnë në distancë

Më: 1 maj 2021 Në ora: 11:11
Reali e Atletico duelojnë në distancë

Përmbysja dramatike e Granadës ndaj Barcelonës brenda në Camp Nou i ndërlikoi sërish gjërat në Primera Division dhe kampionati spanjoll duket më i hapur se kurrë. Nuk ka më sfida të prapambetura dhe tani të gjithë janë me të njëjtin numër ndeshjesh, megjithatë në mënyrë të pabesueshme 5 javë para përfundimit në krye pozicionohen për momentin plot katër klube në harkun e vetëm 3 pikëve.

Pas javës së 33 u afrua gjithashtu edhe skuadra e Seviljes, që tashmë klasifikohet në vendin e katërt, vetëm 1 pikë larg dyshes Barca – Real. Pikërisht klubi andaluzian duket se do të ketë edhe kalendarin më të vështirë nga ekipet e kreut, sidoqoftë shumë prej këtej deri në fund pritet të influencojnë sfida të tilla si Barcelona – Atletico Madrid dhe Real – Sevilla, që janë programuar vetëm një javë më pas, pra në fundjavën e dytë të muajit maj.

Duke lënë mënjanë skuadrën e drejtuar nga trajneri Julen Lopetegui tre klubet e tjerë kanë pengjet e tyre, për hapat e gabuar që kanë hedhur kohë pas kohe. Ditën e shtunë radhën për të zbritur në fushë e kanë dy skuadrat madrilene dhe pjesën më të vështirë natyrisht do ta kenë kampionët në fuqi, sepse sic dihet “los blancos” janë ende në lojë në Champions League. Zinedine Zidane e sheh veten sërish në pozita të vështira, megjithëse për hir të së vërtetës trajneri francez duket se është kalitur tashmë me situata të tilla. 48-vjecari nga Marseja ka ditur të ngrihet kohë pas kohe nga pozita të vështira dhe shumë më të ndërlikuara, kështuqë trajneri me origjinë algjeriane është mësuar me luhatjet e shumta të skuadrës merengues.

Në mesjavë në Stadiumin Alfredo di Stefano futbollistët e Realit ishin me shumë shumë fat që shkuan në interval me rezultatin e barabartë 1-1. Ekipi i falet përsëri eksperiencës dhe madhështisë së sulmuesit francez Karim Benzema, gjithsesi në pjesën e dytë nuk ndryshoi asgjë dhe tani Reali përballet me misionin e vështirë për të përmbysur situatën në Londër, pas vetëm pak ditësh. Efekti Champions la pasoja në kampionat, teksa “los blancos” pavarësisht se takimi luhej në kryeqytet nuk shkuan dot përtej një barazimi pa gola ndaj Betisit, që drejtohet pikërisht nga ish-trajneri i tyre, Manuel Pellegrini.

Vëmendja sigurisht ishte te blutë e Londrës, megjithatë e njëjta situatë përsëritet sërish për trajnerin Zinedine Zidane, që tani duhet të vendosë për të bërë zgjedhje të dhimbshme dhe tepër të vështira, me kontigjentin e futbollistëve që ka në dispozicion. Lodhja në këtë fazë të sezonit është e kuptueshme, për më tepër në Primera Division këtë javë futbollistët e Realit i pret një mision shumë i vështirë ndaj një skuadre si Atletico Osasuna.

Pas dy barazimeve rresht në shtëpi me Betisin dhe Chelsea-n Reali do të ketë të paktën sërish favorin e faktorit fushë, duke patur parasysh faktin që ndeshja me skuadrën navarre do të mbahet në orën 21:00 pikërisht në Stadiumin Alfredo di Stefano.

Drejtuesit e Osasuna-s kanë një meritë të jashtëzakonshme, që nuk u ndikuan aspak nga ecuria e tmerrshme e skuadrës së tyre në fazën hapëse të kampionatit. Krerët e klubit mbajtën në drejtim trajnerin Arrasate, që në fazën e parë mezi bëri bashkë vetëm 3 fitore e 7 barazime, ndërsa tani klubi nga Pamplona është i sigurtë në kuotën e 40 pikëve, madje ekipi navarr synon t’i rrëmbejë vendin Celta-s apo Bilbaos, për ta mbyllur aventurën e këtij sezoni në ligën spanjolle në gjysmën e parë të tabelës së renditjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat