Milani hyn në garë për De Paul

Futboll

Milani hyn në garë për De Paul

Më: 1 maj 2021 Në ora: 11:58
Milani hyn në garë për De Paul

Për t’u mbrojtur në rast largimi të Donnarummës, Milani ka bllokuar portierin francez të Lille, Maignan, megjithatë këtë verë nga kuqezinjtë mund të largohet edhe turku Hakan Calhanoglu, i cili gjithashtu nuk ka firmosur rinovimin e kontratës që i skadon në fund të sezonit.

Pikërisht për këtë arsye Maldini po punon për të afruar një tjetër fantazist dhe emri në krye të listës është ai i kapitenit të Udineses, Rodrigo De Paul, një futbollist që ndiqet me mjaft interes edhe nga Interi e Juventusi.

Për momentin bëhet fjalë për hapat e para të negociatave, pasi Udinese shpreson që në garë për argjentinasin të përfshihen sa më shumë klube, në mënyrë që të rritë sa më shumë çmimin e kartonit të tij.

Aktualisht klubi friulian ka vënë një çmim prej 40 milionë eurosh për De Paul, shifër që Milani synon ta ulë duke përfshirë në marrëveshje të rinj të talentuar si norvegjezi Hauge apo italiani Pobega, që ka bërë disa paraqitje të mira me fanellën e Spezias këtë sezon.

Vlen të theksohet se vitin e kaluar Udinese refuzoi shkëmbimin, duke pretenduar vetëm para kesh për kartonin e De Paul, megjithatë para se të nisë sulmin final, Milani duhet të sigurojë pjesëmarrjen në Champions, pasi vetë argjentinasi ka theksuar se do të largohet nga friulianët vetëm për të luajtur në kompeticionin më të rëndësishëm për klube.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat