Pasi mposhti Teutën dhe Vllazninë në harkun e katër ditëve, Tirana është rikthyer plotësisht në garë për titullin kampion dhe kur kanë mbetur edhe 6 javë deri në vijën e finishit, janë gati të bëjnë maksimumin për t’ia dalë.
Këtë e konfirmon tekniku i bardhebluve, Orges Shehi, i cili doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp dhe bëri thirrje që skuadra të vlerësojë maksimalisht Bylisin si kundërshtar të radhës, pa menduar më gjatë.
Si është gjendja e skuadrës?
Kemi marrë një fitore me shumë vlera ndaj vendit të parë dhe jemi të kënaqur, pasi ka qenë javë e ngjeshur. Triumfi na vlen shumë për objektivat dhe na ka sjellë anë psikologjike të mirë për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës.
Sa e vështirë do të jetë transferta në Ballsh?
Bylisi është kundërshtar i fortë, luan futboll me intensitet të lartë dhe këtë e kanë anën më të fortë. E dimë mirë se është ndeshje e rëndësishme, pasi në këtë fazë të kampionatit të gjitha skuadrat kanë objektivat e tyre. Dikush pretendon ngjitjen në majë, dikush për t’iu shmangur fundit. Jemi koshientë që luajmë ndaj një rivali të fortë, por javët ngushtohen dhe bëhen më të zjarrta sepse duhen pikët për çdo skuadër. Janë disa kundërshtarë që në fushën e tyre luajnë më mirë dhe janë më të fortë se jashtë. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë.
Skuadra ka fituar shumë rrallë në Ballsh…
Këto janë statistika. Për mua është hera e parë që shkoj në Ballsh si trajner i Tiranës dhe nuk do komentoj çfarë ka ndodhur në të shkuarën. E thashë se janë të fortë dhe në fushën e tyre shprehen më mirë, por nëse shohim statistikat e Tiranës, kemi fituar ndaj skuadrave që janë poshtë në renditje. Nuk fituam me Kukësin dhe Skënderbeun, por fati është pjesë e futbollit, diku t’i merr pikët e diku t’i jep. Çdo ndeshje duhet vlerësuar, shihet edhe në rezultatet e çdo jave që duken edhe të çuditshme. Kjo ndodh sepse nuk ka shumë diferenca dhe nëse ul vigjilencën të bën dëm çdo kundërshtar.
Cili është pengu juaj deri në këtë moment që drejtoni klubin bardheblu?
Ndeshjet kalojnë shpejt dhe sigurisht në beteja të caktuara mund të bënim më mirë. Pengu im i vetëm është fati im i keq që nuk isha në ndeshjen me Teutën sepse isha me COVID-19. Mbrojtja është shumë e rëndësishme, duket të jesh shumë strikt në këtë fazë.
Tirana e Shehit ka grumbulluar më shumë pikë se kushto në Superiore. Ju vjen keq që nuk ishin nga fillimi i sezonit në pankinë?
Ky është fakt, pasi kemi rikuperuar shumë. Ka qenë distancë e madhe dhe rikuperimi është i konsiderueshëm, ndaj tani duhet t’i vëmë kapakun. Të japim maksimumin tonë dhe të mendojmë vetëm ndeshjen e radhës. Të fokusohemi vetëm te ndeshja e nesërme, në fund bëhen llogaritë dhe shpresoj të jemi aty ku na takon dhe brenda objektivave. Për të arritur objektivat duhet të kesh kontigjent të plotë. Luhen dy ndeshje në javë dhe mund të bëjmë pak rotacion, pa prishur ekuilibrat.
A ka Tirana organikën e duhur për të synuar titullin?
Me lojtarët në dispozicion mendoj se mund t’i kapim objektivat. Sigurisht nuk është njësoj si të jesh trajneri i tretë në një sezon dhe të jesh trajneri i parë, ku t’i vendos konceptet e tua. Unë mendoj se lojtarët janë.
Është kthyer Danso nga pezullimi, Tim Vairinen po përshtatet pak më shumë sepse ka ardhur në janar. Të jesh te Tirana, edhe sikur të jesh i nënti në renditje, do të flitet për titullin sepse është në ADN e klubit, që të tentojë gjithmonë maksimumin. Ne jemi të pestët dhe mendoj se nuk mund të flasim për titullin kur kemi katër skuadra përpara. T’i marrim shkallët një nga një, nuk është në dorën tonë.
A prisni konfirmim edhe për sezonin e ardhshëm në pankinën bardheblu?
Nuk jam person që merrem me të ardhmen dhe me të shkuarën. Sigurisht që është e rëndësishme që një trajner ta nisë nga fillimi, por jam i fokusuar te këto ndeshje të mbetura, që janë hallka kryesore e zinxhirit, më pas të shohim dhe bëjmë llogaritë për atë që kam dhënë. Kjo është kompetencë e presidentit dhe për mua s’është e rëndësishme.