Milani dhe Juventusi do të përballen këtë fundjavë respektivisht me Beneventon dhe Udinesen, ku janë të dënuar të fitojnë, për të synuar një vend në zonën Champions, megjithatë është e pamundur të shmangen mendimet për sfidën direkte të 9 majit në “Allianz Stadium”.
Të dy klubet historike italiane kanë nga 66 pikë në renditje dhe do të luftojnë deri në fund në një garë 5-she me Atalantën, Napolin e Lazion për vetëm 3 vende në zonën Champions, objektiv i vetëm i mbetur ende këtë sezon.
Megjithatë një javë para sfidës direkte, futbollistët e të dy kampeve duhet të mendojnë jo pak për 9 majin, pasi plot 10 futbollistë të të dy skuadrave rrezikojnë të humbin Juventus-Milan, nëse ndëshkohen me kartonë të verdhë.
Titullarë me peshë si Ronaldo, Bonucci, De Ligt e McKennie janë ata që rrezikojnë nga kampi i Juventusit, ndërsa për kuqezinjtë mund të humbin sfidën nëse ndëshkohen emra si Rebiç, Hernandez, Calhanoglu, Saelemaekers, Castillejo e Dallot.
Natyrisht që Pirlo e Pioli nuk mund të bëjnë llogari të tilla për ndeshjet e kësaj fundjave, pasi tre pikët vlejnë njëlloj dhe hapat fals ndaj Udineses e Beneventos janë të papranueshme, megjithatë vetë lojtarët që do të zbresin në fushë, do ta kenë patjetër një mendim edhe për sfidën e 9 majit.