Presidenti i Juventusit Andrea Agnelli ka uruar skuadrën e Interit për shpalljen e kampionit të Serie A, dhe ka premtuar se klubi i tij do të bëjë çdo gjë që të fitojë përsëri titullin “Scudetto”.
Pas nëntë titujve radhazi, sundimi i gjatë i Juventusit në Serie A përfundoi sot, ku skuadra e Interit u shpall kampion i sezonit 2020/21, përcjell KosovaPress.
Dështimi i Atalantas që të sigurojë fitore kundër Sassuolos, ku ndeshja përfundoi pa fitues 1:1, bëri që skuadra e Antonio Contes të shpallet kampion katër ndeshje para mbylljes së kampionatit.
Në anën tjetër, Juventusi do të luftojë për të siguruar një vend në Top 4 në tabelë, që të siguroj biletën për sezonin e ardhshëm drejt Ligës së Kampionëve.
Presidenti Agnelli shfrytëzoi rastin që ta urojë presidentin e Interit Steven Zhang për titullin e 19 të Interit këtë sezon.
“Për 10 vjet radhazi ne kemi fituar të paktën një trofe, kjo nuk është gjë e keqe, por gjithmonë e mira do të vijë përsëri. Të lumtë, Steven! Jam i lumtur për ty dhe krenar që jam kundërshtari yt në fushë, dhe miku yt jashtë saj”, tha Agnelli.
Edhe drejtori sportiv i Juventusit Fabio Paratici uroi Interin, por urimi i tij ishte paksa thumbues drejt “Nerazzurëve” duke treguar sukseset e mëdha të “Zonjës së Vjetër”.
“E uroj klubin dhe Conten. E dimë që pas çdo suksesi gjendet pasioni dhe sakrifica. Ne e dimë se çfarë kemi bërë deri tani, duke qenë në krye të Serie A për 2.382 ditë. Kemi arritur të bëjmë histori, të jemi unikë në futbollin italian, dhe ndoshta edhe në botë. Urime Interit për “Scudetton” tejet të merituar”, tha Paratici.