Pesë gola në stadiumin "de Mestalla" dhe Barcelona del me pikë të plota.
Barcelona e ka mposhtur me rezultat 3:2 Valencinë, në një ndeshje shumë të mirë e me rivalitet deri në fund.
Pesë gola u shënuan në 45 minutat e dytë.
Në minutën e 50-të, Gabriel Paulista realizoi për epërsinë e vendasve.
Në minutën e 57-të, portieri Cillessen e pret penalltinë e Messit, bëhet tollovi në 16-sh dhe Messi sërish në skenë, shënon për 1:1, duke përmirësuar gabimin brenda pak sekondave.
Griezmann në minutën e 63-të dhe Messi në atë të 69-të realizojnë për 1:3 dhe në minutën e 83-të Soler ngushton humbjen në 2:3.
Pas javës së 34-të në elitën e futbollit spanjoll, Atletico kryeson me 76 pikë, ka dy më shumë se Reali dhe Barcelona, ndërsa Valencia zë vendin e 14-të me 36 pikë.
Tri skuadra në luftë të ashpër për titullin e kampionit! Katër javë deri në fund, 12 pikë të mundshme dhe gjithçka e paqartë.
Në javën e ardhshme zhvillohet derbi i madh mes Barcelonës dhe Atletico Madridit dhe Reali e pret Sevillën.
Lionel Messi kryeson listën e shënuesve me 28 gola apo ka 7 më shumë se Karim Benzema i Real Madridit.