Achraf Hakimi ka treguar që ka qenë dëshira e tij që të qëndronte tek Real Madridi, pasi që e festoi titullin e Serie A me Interin, dhe tani si duket e ka lënë derën e hapur për një rikthim të mundshëm në Serie A.
Hakimi iu bashkua Interit nga Real Madridi në fillim të këtij sezoni, për një shumë afro 40 milionë euro, dhe këtë të diele arriti që ta fitojë titullin e “Scudettos” me “Nerazzurët”, përcjell KosovaPress.
Interi u kurorëzua me titullin e kampionit të Serie A për herë të parë që nga sezoni 2009/10, pas 34 ndeshjeve të zhvilluara, ku kanë arkëtuar 13 pikë më shumë se vendi i dytë Atalanta.
Pavarësisht festimeve në qytetin e Milanit, Hakimi shfrytëzoi rastin që të flas për Realin, ku përfaqësuesi i Marokut ishte produkt i akademisë dhe u inkuadrua me ekipin e parë në vitin 2017, duke bërë 17 paraqitje para se të kalonte dy vite në huazim tek Borussia Dortmundi, dhe në fund të kompletonte kalimin tek skuadra italiane Inter.
“Real Madridi ka qenë shtëpia ime. Dëshira ime ishte që të qëndroja aty dhe të luftoja për një vend në formacionin bazë, por klubi vendosi të kundërtën”, tha Hakimi për “El Chiringuito”.
“Nuk mund të fajësoj trajnerin Zidane ose krerët e klubit. Besoj që Real Madridi e ka të drejtën që herën e parë të më refuzoj”, shtoi marokeni.
Hakimi ka shënuar shtatë gola dhe ka regjistruar gjashtë asistime në Serie A në sezonin e parë me Interin nën urdhrat e Antonio Contes.
Triumfi i Interit në Serie A i dha fund serisë prej nëntë titujve radhazi të “Scudettos” për Juventusin, tre prej të cilëve ishin fituar nga Conte, kur ishte në krye të “Zonjës së Vjetër” nga viti 2011 deri në vitin 2014.