Pep Guardiola ka thënë se Manchester City i tij nuk duhet assesi ta humbë mundësinë për ta fituar trofeun e Ligës së Kampionëve, pasi është shumë afër ta arrijë finalen e parë në këtë garë.
City udhëheq 2:1 kundër Paris Saint-Germain nga ndeshja e parë gjysmëfinale, para ndeshjes së kthimit në Etihad sonte.
Guardiola, i cili e ka fituar këtë trofe dy herë me Barcelonën, këmbëngul se gjysmëfinalja nuk ka mbaruar ende, por thotë se ekipi i tij duhet të luajë me të njëjtin vetëbesim që e ka treguar gjatë gjithë sezonit.
“Ne nuk duam ta humbim këtë mundësi, duke mos qenë vetja dhe duke mos luajtur mirë. Ndiej se do të luajmë mirë”, tha Guardiola para ndeshjes.
I pyetur se si mund t’i kontrollojnë emocionet lojtarët e tij, ai shtoi: “Ata duhet ta kuptojnë se kjo do të jetë një betejë e madhe, një ndeshje e vështirë me çaste të vuajtura. Por jam i sigurt se ne do të reagojmë mirë dhe do ta kontrollojmë veten”.