Therandasit synojnë fitore ndaj Arbërisë për të kaluar në pozitën e dytë dhe për të mbetur në hap me Prishtinën, në garën për titull të kampionit
Ballkani e ka një mundësi të mirë sot që të kalojë në pozitën e dytë në Superligën e futbollit.
Kjo mundësi ekipit therandas i është dhënë pas barazimit të Dritës në Derbin e Anamoravës me Gjilanin.
Andaj, ekipi nga Suhareka nuk ka më vend për gabime nëse dëshiron ta ruajë së paku vendin e dytë për të luajtur në garat evropiane.
Por, Ballkani me fitore ndaj Arbërisë do t’i afrohej në dy pikë edhe liderit Prishtina, e cila e mundi Besën 3:0.
Pra, ekipi Portokalli është ende në garë për titull të kampionit.
E për ta arritur këtë, duhet ta fitojë ndeshjen e sotme ndaj Arbërisë, por edhe tri duelet tjera deri në fund të sezonit.
Në duelin tjetër të sotëm, Drenica e pret Llapin.
Kuqezinjtë kanë nevojë për tri pikë për t’i ikur zonës së ekipeve të rrezikuara për të rënë nga liga.