Ky sezon ka qenë zhgënjyes për Juventus që pas nëntë triumfeve radhazi në Serinë A, ia dorëzoi fronin rivalëve të Inter. Sakaq, keq shkoi edhe në Champions League ku bardhezinjtë u eliminuan në 1/8-tat prej Portos.
Kështu, drejtuesit kanë nisur punën për sezonin e ardhshëm në mënyrë që skuadra të rikthehet konkurruese, ndërsa duket i vulosur fati i trajnerit Andrea Pirlo për t’u shkarkuar.
Tekniku nuk ia ka dalë t’i transmetojë ekipit idetë e tij, ndërsa favoriti për ta zëvendësuar është Masimiliano Alegri. Ky i fundit e njeh mirë ambientin bardhezi dhe është miku i presidentit Anjeli. Megjithatë, drejtuesit po shikojnë edhe opsionin Zinedin Zidan. Francezi e ka shprehur hapur se një ditë do ta trajnojë ish-ekipin e tij.
Në rast se Zidan largohet nga Real Madrid, atëherë Juventus do të niste negociatat, ndërsa problem do të ishte paga e lartë e trajnerit. Zidan aktualisht përfiton 12 milionë euro plus tre të tjera në formën e bonuse dhe për italianët është një shifër e papërballueshme. Por, mbetet për t’u parë pasi Zidan mund të bëjë edhe “skonto” për bardhezinjtë.