Sezoni i ardhshëm në Kategorinë Superiore do të ketë 12 ndeshje derbi, pasi Tiranës e Partizanit i është bashkuar tani edhe Dinamo. Tre ekipe të kryeqytetit në Superiore padyshim që rritin edhe imazhin e futbollit dhe Bashkia e Tiranës është gati që të vazhdojë të aplikojë bonuset dhe shpërblimet që këto ekipe të vazhdojnë të festojnë titullin.
Prej dy vitesh radhazi, fillimisht me Partizanin e më pas me Tiranën, kryeqyteti ka festuar kampionët e futbollit shqiptar dhe në edicionin e kaluar, Bashkia caktoi edhe një premio financiare për bardheblutë. Por që tani e tutje do të përsëritet për çdo skuadër fituese të kryeqytetit, pasi kryebashkiaku Erion Veliaj dëshiron që titulli të mos largohet nga “juridiksioni “ i tij.
“Më në fund kohët e arta të kryeqytetit – Tirona, Partizani dhe Dinamo – të treja në Superiore.
Fitoftë skuadra më e mirë, për sa kohë trofeu mbetet në Tiranë. Bashkia Tiranë do ofrojë si çdo vit premium për fituesin”, ishte mesazhi i tij në rrjetet sociale duke konfirmuar kështu se edhe në këtë sezon, nëse bardheblutë apo të kuqtë do të ngrenë lart trofeun, do të përfitojnë financiarisht edhe nga Bashkia.